Secondary Adv

Çmimet e pronave në Durrës priten të shtrenjtohen deri 10 për qind, bregdeti udhëheq rritjen

Çmimet e pronave në Durrës pritet të rriten nga 6 deri në 10 për qind gjatë vitit 2026, me zonat pranë detit që parashikohen të udhëheqin rritjen.

Sipas një analize të Investropa, ritmi i rritjes së çmimeve këtë vit pritet të jetë më i moderuar krahasuar me vitin e kaluar, kur tregu i pasurive të paluajtshme në qytetin bregdetar shënoi rritje më të fortë.

 

Parashikimet ndryshojnë sipas segmentit të tregut. Për pronat në zonat më të brendshme të qytetit pritet një rritje prej rreth 4 deri në 6 për qind, ndërsa për apartamentet buzë detit projeksionet arrijnë deri në 10–12 për qind.

 

Turizmi dhe ekonomia nxisin kërkesën

Parashikimet mbështeten në disa faktorë ekonomikë, si rritja e ekonomisë shqiptare me rreth 3 për qind në vit dhe performanca e fortë e turizmit në vend.

 

Analiza kombinon projeksionet makroekonomike të Bankës Botërore për Shqipërinë me pritshmëritë për inflacionin nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke përfshirë edhe një faktor shtesë për Durrësin që lidhet me kërkesën turistike dhe treguesit lokalë të tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Zonat bregdetare me rritjen më të fortë

Sipas studimit, zonat që pritet të regjistrojnë rritjen më të madhe të çmimeve janë Currila, pjesët më të kërkuara të Plazhit dhe zona e Vollgës.

 

Këto lagje kombinojnë afërsinë me detin me mungesën e apartamenteve cilësore në treg. Për këtë arsye, çmimet në këto zona mund të rriten nga 10 deri në 14 për qind, duke tejkaluar mesataren e qytetit.

 

Rritja lidhet kryesisht me kërkesën e lartë për apartamente moderne dhe të mirëpozicionuara, ndërsa oferta e ndërtesave që plotësojnë këto standarde mbetet e kufizuar në zonat bregdetare.

 

Shkozeti shihet si alternativë më e përballueshme

Një nga zonat që mund të shënojë rritje më të lartë se pritshmëritë është Shkozeti. Interesi për këtë lagje po rritet veçanërisht nga blerësit që nuk përballojnë çmimet në vijën e parë të bregdetit. Shkozeti shihet si një alternativë më e përballueshme, falë lidhjes së shpejtë me qendrën e Durrësit dhe korridorin rrugor drejt Tiranës.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat